Botime

1. Candavia 5

Departamenti i Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës

Antikiteti i Vonë. (shek. IV-VI e. sonë)

Është një periudhë historike e mbushur me ngjarje të vrullshme dhe mungesë stabiliteti nga dyndjet e popujve barbarë. Kjo ka bërë që të ndërmerret një punë intensive kërkimore dhe studimore për të hedhur dritë mbi problemet kryesore që shtrohen për këtë periudhë, nga të cilat më të rëndësishmet është problemi i vazhdimësisë iliro-shqiptare. Për të plotësuar këtë detyrë sa të vështirë aq dhe të rëndësishme janë kryer gërmime në qendra të Antikitetit të Vonë, si në Berat, Butrint, Kaninë, Bylis, Lezhë, Paleokastër, Pogradec, Symizë, Zharrë, Grazhdan, Lezhë etj. Janë gërmuar gjithashtu dhe disa godina të kultit paleokristian, si bazilikat e Linit, e Ballshit,Tepes, Amantias, Mesaplikut, dhe në Shqipërinë Jugore etj. Problemi kryesor që arkeologët kanë mundur të ndjekin në tërë këto gërmime kanë qenë proçesi i transformimeve nga periudha romake në atë të Antikitetit të Vonë. Në fushën e kulturës së hershme mesjetare. Kërkimet kanë patur si përmbajtje njohjen e prezantimin e kulturës arbërore ku ka një mungesë të ndjeshme të burimeve të tjera dokumentare. Kjo është bërë e mundur nga gërmimet e studimet në vendbanimet e hapura e të fortifikuara siç janë kalaja e Stelushit në Mat; e Shurdhahut; e Pogradecit; e Kaninës, e Beratit etj. Gërmime janë bërë edhe në një varg varrezash të kulturës së hershme arbërore si në varrezën e Komanit të Pukës; në Bukël të Mirditës; në varrezën e Krujës dhe në varrezën e Shurdhahut në Shkodër

Departamenti i Antikitetit

Periudha qytetare ilire ( shek. V-I p. e. sonë )

Në objekt të kësaj periudhe janë problemet kryesore që lidhen me themelimin dhe zhvillimin e qyteteve dhe shteteve ilire. Studimi nis me qendrat e para protourbane ilire dhe me qytetet koloni në territorin ilir. Në tematikën e studimit të kësaj periudhe përfshihet sistemi urbanistik i qytetit dhe organizimi politik në faza të ndryshme zhvillimi, pa lënë jashtë dhe veprimtaritë ekonomike, prodhimin dhe shëmbimin, qendrat kryesore të prodhimit dhe shkëmbimit, raportet me qendrat e tjera qytetare, raportet me kolonitë. Një vend të rëndësishëm zë studimi i proçesit të krijimit dhe zhvillimit të shtetit ilir. Për studimin e qytetit dhe shtetit ilir janë kryer gërmime në një sërë qytetesh antike ilire, si Amantia, Antigoneja, Apolonia, Butrinti, Bylisi, Dimali, Dyrrahu, Lisi, Oriku, Skodra, Selca e Poshtme, Zgërdheshi, etj. Një kujdes i veçantë është treguar që kërkimet arkeologjike në qytet antike ti kthejnë ato në pika të vizitueshme për publikun e gjerë vendas e të huaj.

Periudha romake

Përfshirja e Ilirisë në Perandorinë Romake pati rrjedhojat e veta. Problemet kryesore që trajtohen janë të lidhura me ndryshimet që pasuan pushtimin romak të Ilirisë së Jugut. Në fushën e antikitetit janë ndërmarrë gërmime në një varg vendbanimesh të fortifikuara dhe qutete ilire. Në grupin e këtyre qyteteve ilire janë Amantia, në Ploçë të Vlorës; në kalanë e Irmajt në rrethin e Gramshit; në kalanë e Gajtanit në rrethin e Shkodrës; në Rosujë të Tropojës; në Cukë të Ajtoit në rrethin e Sarandës; në qytetin e Dimalit në fshatin Krotinë të rrethit të Beratit; në Antigone pranë fshatit Saraniqit të rrethit të Gjirokastrës; në qytetin e Lisit; në qytetin e Zgërdheshit në afërsi të Krujës; në qytetin e Selcës së Poshtme të Pogradecit; në qytetin e Klosit në rrethin e Fierit; në Bylis,Margëlliç e Mashkjezë të Fierit dhe në Butrint e Foinike Gërmime janë ndërmarr dhe në qytetet antike koloni si Dyrrahu; Apollonia dhe Oriku.