Departamenti i Prehistorisë

Kërkimet dhe gërmimet arkeologjike kanë për objekt, studimin e gjurmëve më të hershme të shoqërisë njerëzore në territorin e Shqipërisë duke filluar me epokat e Paleolitit, Mezolitit, Neolitit dhe epokat e metaleve si Eneolitin, Bronzin e Hekurin, deri në periudhën historike.

Paleoliti

Studimi i epokave të gurit të vjetër, ka nisur vonë. Këto kërkime kanë çuar në zbulimin e disa stacioneve paleolitike si një dëshmi e qartë e banimit të territorit tonë që në periudhat më të hershme të historisë së njerëzimit. Megjithëse zbulimi i gjurmëve të paleolitit ka nisur që në vitet ’30 të shekullit të kaluar me kërkimet e L. Cardini në stacionin e Xarës dhe ka vazhduar pas luftës nga studiuesit shqiptarë, sot mund të themi se studimi i kësaj periudhe është ende në fillimet e tij. Deri tani janë zbuluar stacione paleolitike që i përkasin Paleolitit të Mesëm (Gajtani I, Xara I, Diaporiti I, Kryegjata, Rusinja) dhe Paleolitit të Lartë (Xara II, Shën Marina, Konispol I, Kryegjata II, Rrëza e Dajtit, Gajtan II, Diaporit II, Shëndëlli, Shën Dhimitri). Në dekadën e fundit është shënuar një hap i madh përpara nëpërmjet kërkimeve sipërfaqësore duke organizuar projekte të përbashkëta me partnerë të huaj dhe duke aplikuar metoda bashkëkohore të kërkimit. Mezoliti Kërkimet për epokën e Mezolitit (10 000-7 000 p.e.sonë) janë disi më mbrapa. Ato nisin në vitet ’70 me zbulimin e stacionit mezolitik të Vlushës dhe pasohet me zbulimin e atij të Konispolit në vitet ’90. Stacioni i Vlushës ka një interes të veçantë për studimet prehistorike, pasi në të janë të pranishëm mbetje materiale që i përkasin dy periudhave të ndryshme (mikrolitet mezolitike dhe qeramika trashanike e periudhës së neolitit), ndërsa ai i Konispolit II ka shtuar ndjeshëm të dhënat jo vetëm për materialin arkeologjik, por edhe për botën bimore e shtazore dhe ambientin mezolitik. Kërkimet e viteve të fundit kanë evidentuar pika të reja mezolitike si Kryegjatë, Diaporit III, Shpella e Himarës, Rrëza e Kanalit, etj.

Neoliti dhe Eneoliti

Në qoftë se dy periudhat e para janë pak të studiuara, epoka e Neolitit dhe ajo pasardhëse, e Eneolitit (ose e bakrit) paraqiten me një pamje krejt ndryshe. Kërkimet për këto periudha fillojnë në 1948 me zbulimin e një prej vendbanimeve më të rëndësishme siç ishte vendbanimi i Maliqit në rrethin e Korçës, duke vazhduar më pas me zbulimin e gërmimin e shumë vendbanimeve të tjera. Vendbanime neolitike dhe eneolitike janë zbuluar në rrethet Berat, Dibër, Kukës, Librazhd, Fier, Korçë, Ersekë, Kukës, Mat, Përmet, ku një vend të veçantë zë pellgu i Korçës me vendbanimet si Podgoria, Dunaveci dhe Maliqi. Studimi i vendbanimeve neolitike dhe eneolitike merr një rëndësi të veçantë në kushtet e mungesës së plotë të dhënave për banorët e lashtë të vendit tonë. Në kërkimet e kohëve të fundit, për arritjen e përfundimeve më të sakta që do ti afroheshin më shumë të vërtetës, po aplikohen metodat bashkëkohore dhe po bashkëpunohet me specialistë të fushave të ndryshme si paleobotanistë, paleozoologë, etj. në mënyrë që të krijohet një tablo sa më e qartë dhe më e plotë e jetës dhe mjedisit në këto periudha.

Epoka e Bronzit

Përfshin një periudhë (mijëvjeçarin e tretë e të dytë p.e.sonë), gjatë së cilës ka patur zhvillime dhe përparime të rëndësishme të shoqërisë parahistorike të cilat kanë qenë objekt kërkimi dhe studimi të departamentit të prehistorisë. Të dhënat më të rëndësishme janë përftuar nga një numër i madh varrezash tumulare (Vodhinë, Bajkaj, Dukat, Vajzë, Patos, Pazhok, Barç, Mat) me përhapje gjeografike në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe më pak nga gërmimet në vendbanimet e kësaj periudhe (Gajtan, Nezir, Maliq, Tren). Me epokën e bronzit lidhet fillimi i procesit të formimit të një popullsie të re mbi bazën e dy substrakteve, vendase dhe asaj të ardhur nga lindja në fillim të bronzit.

Epoka e Hekurit

Ka një shtrirje kohore nga shek. X-V p.e.sonë. Një vend shumë të rëndësishëm në studimin e kësaj periudhe zë kultura materiale e shpirtërore e ilirëve, formimi e konsolidimi i etnosit ilir dhe fillimi i organizimit politik të tyre në federatat e para fisnore. Studimi i kësaj periudhe është bërë e mundur nga gërmimi i shumë vendbanimeve dhe varrezave prej të cilave është zbuluar një material i shumëllojshëm për evidentimin e interpretimin e kulturës ilire në marrëdhënie me kulturat fqinje më në zë të kohës. Gërmimet sistematike për epokat e bronzit dhe hekurit nisën në vitet ‘50-të të shek. XX. Në fillim u ndërmorën një varg fushatash për hapjen e varrezave tumulare. Kështu, në vitet 1952-56 u bënë gërmime në disa tuma të luginës së mesme të lumit Mat; po në këto vite u bënë gërmime edhe në tumat e Vajzës në rrethin e Vlorës dhe në Dropullin e Sipërm në Rrethin e Gjirokastrës. Në vitet 1960-1980 u bënë gërmime në tumat e Pazhokut, në ato të Krumës, Kënetës, Çinamak në rrethin e Kukësit të Kuçit të Zi e të Barçit në rrethin e Korçës; në të Çepunës(Gjirokastër) dhe të Bajkajt rrethi në Sarandës; në tumën e Prodanit e Rehovës rrethi i Kolonjës; në tumat e Pazhokut, në tumat e Dukatit në rrethin e Vlorës; në tumat e Patosit në rrethin e Fierit; në tumat e Dedaj e ato te Shtojitnë rrethin e Shkodrës; në Piskovë dhe Rapckë në rrethin e Përmetit; në Burrel, në Kamenicë të Korçës e Lofkënd të Mallakastrës etj. Ne vitet 1961-63 u germua kalaja e Gajtanit dhe ne vitet 1961-66 u bene germime sistematike ne vendbanimin e Maliqit. Me pas germimet u shtrine dhe ne vendbanime te tjera prehistorike, si ne Tren te Korces; ne Kamnik te Kolonjes, ne Cakran te Fierit; ne Dunavec dhe Vashtemi te Korces; ne Burim te Peshkopise, ne Burimas te Korces, ne Benje te Permetit; neKonispol,Rajce e Rashtan te Librazhdit, ne Topjan te Peshkopise etj.