Vëzhgime sipërfaqësore në fshatin mesjetar Kamenicë (Delvinë)

Udhëheqës: Prof. Dr. Skender Muçaj

Doktorant: Irklid Ristani

Periudha: Korrik 2015 (26 ditë pune).

Objektivat për vitin 2015 Puna e kryer deri më tani ka mundësuar krijimin e një harte bazë të fshatit mesjetar të Kamenicës, ku janë pasqyruar objektet e studiuara nga Meksi-Riza dhe ato të dokumentuara për herë të parë. Kështu është arritur të dokumentohet më së miri pjesa jug-perëndimore e fshatit, ndërsa ajo jug-lindore duke përfshire edhe majën e kodrës më të ulët është lënë për tu studiuar këtë vit.

• Të dhënat që do të marrim nga dokumentimi i rrënojave të kësaj pjese do të mundësonte një panoramë më të plotë fizionomisë të fshatit.

• Në brendësi të tij do të ndalemi në majën e kodrës të lartë ku janë dy nga ndërtimet më interesante, banesat kullë. Pastrimet e bëra vitin e shkuar kanë mundësuar krijimin rilevimin planimetrik të një pjese të mirë të kompleksit, por pa arritur të kapim të gjithë shtrirjen e tij. Mungon pjesa jugore e murit rrethues te banesa me kullë nr. 2, që është e mbuluar nga gjelbërimi. Pastrimi i saj do të plotësonte planin e këtij kompleksi, që shtrihet fare pranë kishës nr. 1 dhe 2. Në vazhdimësi të punës të kryer, vëmendje do ti kushtohet edhe kërkimeve për identifikimin në terren të lagjeve periferike të Kamenicës.

Synimet:

• Plotësimi i planimetrisë të fshatit me rrugët e parilevuara, për të rindërtuar në mënyrë sa më të plotë rrjetin urban.

• Rilevim i detajuar i strukturave arkitektonike (banesa, objekte kulti, objekte të përpunimit e tregtimit të drithërave, ullirit dhe rrushit), duke u ndalur kryesisht në pjesën jug-lindore, që është më pak e studiuar. Kjo do të mundësonte një krahasim me strukturat e faqes perëndimore, për të parë ngjashmëritë / diferencat midis tyre.

• Rilevim i pjesës të mbetur të murit rrethues dhe strukturave të kompleksit të banesave kullë.

• Vazhdimi i kërkimeve për gjetjen e lagjeve periferike të Kamenicës.