Apolonia

Drejtues: Prof. Dr. Faik DRINI Instituti i Arkeologjisë dhe Prof. Jean-Luc LAMBOLEY Universiteti Lyon II – Lumière – France

Periudha: 25 maj - 25 qershor.

Përparësi do t’i jepet përfundimit të studimit të materialit, me qëllim dorëzimin e dorëshkrimeve për botim, ndaj ndërhyrjet në terren do të kufizohen në disa gërmime verifikuese apo punime valorizuese.

• Në zonën e qytetit të sipërm

Përgjegjës: S. Verger, F. Quantin, S. Shpuza

Normalisht këtë vit nuk do të kryhet asnjë gërmim. Është i nevojshëm vetëm një pastrim sipërfaqësor për verifikimin e plotë të planimetrive dhe kontrollimin e të gjithë blloqeve që kufizohen me rrugën. Ky pastrim parashikohet të shtrihet edhe në pjerrësinë perëndimore të kodrës 104, më qëllim nxjerrjen në pah të gjithë zonës së agorasë. Do të ndërmerren edhe disa punime eksperimentale për shënimin në sipërfaqe të gjurmëve të portikut të madh.

• Në zonën e sektorit G të qytetit të poshtëm

Përgjegjës: A. Skenderaj, J.-L. Lamboley.

Ky është i vetmi sektor ku duhen kryer disa gërmime. Mbetet për t’u lokalizuar në mënyrë përfundimtare këndi jug-perëndimor i insulës, të zënë nga banesa romake, me qëllim që të mund të përcaktohen përfundimisht përmasat e sistemit hipodamik. Ky kënd ka qenë identifikuar në fund të ekspeditës së mëparshme në kuadratin 2910/750. Verifikimi i tij do të marrë pak kohë.

Mbetet të kuptohet se si godina e re me mozaik, që kufizon rrugën US 1154, integrohet në sistemin hipodamik dhe si lidhet me insulën e banesës romake. Meqenëse dheu humusor në këtë zonë është i cekët, do të mjaftojë një gërmim sipërfaqësor në disa pika të përcaktuara mirë.