Kërkime për Paleolitin dhe Mezolitin në Shqipëri

Projekt shqiptaro- gjerman, bashkëdrejtues I. Gjipali me J. Richter

Kohëzgjatja: 1 Shtator – 15 Tetor 2015

Stafi i Projektit në terren: Ilir Gjipali, Jurgen Richter, Thomas Hauck, Rudenc Ruka, Oliver Vogl, Ergys Hasa, Thomas Wolter, Gazmend Elezi, Cristina Puscas

Qëllimi: Studimi i depozitimeve të Pleistocenit dhe Holocenit të zonave të përfshira në kërkim si dhe e veprimtarive njerëzore gjatë Epokës së Gurit. Dokumentimi 3D i gjetjeve brenda shpellave është një tjetër objektiv për të studiuar e kupuar përdorimin e tyre nga njeriu në periudha të ndryshme të prehistorisë.

Në bazë të rezultateve të 2014, Projekti i përbashkët shqiptaro-gjerman do të vazhdojë punën në terren për vitin 2015 në sitet ku gjatë dy viteve të kaluara janë bërë gërmime për epokat e gurit, në zona të konsideruara me potencial të konsiderueshëm për studimet në këtë fushë. Veprimtaria në terren do të ketë për 2015 dy zona objekt kërkimi, atë të Butrintit (Shën Mitrin) dhe Zonën shpellore të Laç-Bruçit në Rrethit të Matit (në Shpellën e Blazit, Këputës, Nezirit dhe në Shpellën e Birme ose të Valit).

• Në zonën e Butrintit

Gërmimet të kryera më parë (2012) nga projekti në Shën Mitër bëjnë të nevojshme të vazhdohet puna për sqarimin e depozitimeve si dhe të shtrirjes së tyre në thellësi duke aplikuar metodën e skanimit gjeofizik. Skanimi manjetik dhe elektrik në site të tilla ku depozitimet nuk kanë përbërje gëlqerore, krijojnë mundësi për të hetuar shtresëzimet e depozitimeve dhe për të orientuar gërmimet e ardhëshme. Gjetja e mundëshme e depozitimeve in situ që lejojnë edhe datime më të datajuara e të sigurta mbetet pikësynimi ynë në Shën Mitër. Për këtë qëllim, në fillim të këtij sezoni, (dy javët e para të Shtatorit) mendohet të realizohet skanimi gjeomanjetik i Shën Mitrit nga grupi i specialistëve të Universitetit të Këlnit në Gjermani që do ti bashkohet stafit të projektit.

• Në zonën e Matit

Pjesa kryesore e kohës së punës së ekspeditës do të shpenzohet në Shpellën e Keputës dhe të Nezirit të Rrethit të Matit. Në Shpellën e Këputës është planifikuar për të vazhduar gërmimet në kuadratet I dhe II të filluara në vitin 2014, ku u gërmuan gjithë depozitimet e Holocenit në Kuadratin I ndërsa në të dytin nuk u arrit të përfundonte heqja e këtyre shtresave për të vazhduar me depozitimet e Pleistocenit. Pra detyrë kryesore mbetet përfundimi i gërmimit të shtresës së Holocenit edhe në Kuadratin II dhe vazhdimi i gërmimit të shtresave të Pleistocenit që lidhen me Paleolitin në të dy kuadratet. Përveç kësaj, dokumentacioni 3D brenda në shpellë, do të hyjë në fazën e tij të dytë.

Në Shpellën e Nezirit, do të synohet që të ri-hapen seksionet e vjetër të gërmimit për të arritur sedimentet e Pleistocenit, me shpresën për të gjetur depozitime të Paleolitit të Sipërm dhe të Mesëm. Varësisht nga rezultatet e datimit, do të jetë e nevojshme të marrim më shumë kampione për sekuencat e Pleistocenit dhe Holocenit. Para fillimit të punës në terren, gjetjet e gërmuara në 2014 (që aktualisht ruhen në Tiranë) do të analizohen për të ndihmuar në kuptimin më të mirë të situatave që prezanton secili sit. Projekti i kërkimeve për Paleolitin dhe Mezolitin, është i fokusuar në grumbullimin e të dhënave të rëndësishme për Pleistocenin në Shqipëri, njohuri të cilat janë ende fragmentare.