Articles

Procedura e konkurimit dhe dokumentacioni i dosjes

Kandidati për studime në nivelin Master Shkencor dorëzon dosjen e aplikimit në sekretarinë pedagogjike të QSA, deri më 11 tetor 2013. Pas përfundimit të afatit të regjistrimeve, Komisionet Akademike dhe Komisionet e Pranimit shqyrtojnë dosjet e dorëzuara, bëjnë përzgjedhjen përfundimtare të kandidatëve dhe shpallin listat fituese. Kandidatët fitues bëjnë regjistrimin e tyre përfundimtar në datën që do t'u njoftohet nga sekretaria pedagogjike e QSA.

Kushtet e pranimit në Master Shkencor:

Për të aplikuar për regjistrimin në nivelin Master Shkencor pranë QSA, kandidati duhet të zotërojë një diplomë të vlefshme, lëshuar nga një universitet i vendit ose i huaj (në këtë rast, diploma duhet të jetë e ekuivalentuar nga MASH), e cila i lejon atij regjistrimin në Master Shkencor. Diploma e paraqitur duhet të ketë notë mesatare të përgjithshme mbi 7 (kur fusha e kërkuar përputhet me fushën e studimeve të kryera) dhe mbi 8 kur studenti i ka kryer studimet e nivelit të parë në një fushë tjetër ose të përafërt me fushën e kërkuar. Kurset zhvillohen në fundjavë, me orar intensiv. Prania në procesin mësimor është e detyrueshme.

Dokumentacioni i dosjes:

Dosja përmban dokumentet e renditura sipas listës poshtëshënuar; koordinatori pedagogjik i QSA, mbasi verifikon praninë e dokumentave sipas listës, firmos, së bashku me aplikantin, në fund të kësaj liste, fotokopja e së cilës i dorëzohet kandidatit si dokument i pranimit të dosjes.

  1. Kërkesë për regjistrim në nivelin Master Shkencor pranë QSA, në fushën e kërkuar;
  2. Fotokopje e dokumentit recto/ verso të letërnjoftimit ose faqes së parë të pasaportës;
  3. Katër fotografi në format pasaporte; Kopje e noterizuar e diplomës universitare në zotërim, shoqëruar me kopjen e noterizuar të listës së notave ose shtojcës së diplomës;
  4. Kopje e noterizuar e dëshmive të kualifikimeve të ndryshme (nëse këto shënohen në CV), shoqëruar me listë notash ose shtojca përkatëse;
  5. CV, ku jepen të dhënat vetjake (gjeneralitetet, adresa, telefoni, email), formimi shkollor e universitar, të dhëna profesionale (punësimet), si dhe lista e botimeve (nëse ka);
  6. Fotokopje e 2 botimeve ose artikujve shkencorë të aplikantit (nëse ka), ose dëshmi të tjera të dokumentuara, që dëshmojnë aftësinë dhe formimin e kandidatit;
  7. Mandat arkëtimi i tarifës së registrimit, prej 2500 lekë, i paguar në Postën Shqiptare (mandati i arkëtimit merret në zyrën e financës së QSA);
  8. Deklaratë e aplikantit, në të cilën dëshmon se nuk ndjek ndonjë program tjetër studimi të ciklit të dytë në institucionet e arsimit të lartë;
  9. Deklaratë se kandidati merr përsipër të shlyejë tarifat e regjistrimit dhe të shkollimit, në afatet që do të përcaktojë QSA.

SHENIM 1: Të gjitha dokumentet për konkurrim dorëzohen nga vetë aplikanti në sekretarinë pedagogjike të QSA. Nuk pranohet dërgimi i dokumenteve dorazi, me email, fax ose me postë. Kandidati që nuk rezulton fitues në fund të konkurrimit, mund të tërheqë dosjen e vet në sekretari, kundrejt kërkesës me shkrim, të firmosur prej tij.

SHENIM 2: Kandidati ka të drejtë të aplikojë për dy degë të ndryshme në Master Shkencor; në këtë rast, ai dorëzon dy dosje të pavarura, por nuk mund të shpallet fitues në më shumë se një degë.