Articles

Elbasan, bazilika jashtë mureve

Drejtues: dr. Elio Hobdari

Punimet arkeologjike rifilluan në bazilikën extra-muros të Scampis (Elbasan) në vitin 2014, pasi ishin mbyllur në fillim të nëntorit 2012. Sezoni i punës u zhvillua në muajt tetor - nëntor i shtrirë në tri javë me pjesëmarrjen e Elio Hobdari (IA) dhe një grupi punëtorësh.

Për vitin 2015 parashikohet, zbulimi i plotë i mozaikut të nefit qendror (K 7 a dhe b) e mbetur e pagërmuar që nga sezoni i vitit 2012. Sipërfaqja e gërmimi do të jetë rreth 55 m2. Shpresohet që një ndërhyrje eventuale sistemuese në monument të bëjë të mundur vazhdimin e gërmimit në sipërfaqen e varrezës përreth monumentit. Kjo do të lejojë edhe kthimin në monument të një pjese të skulpturës arkitektonike që është strehuar përkohësisht në ambientet e Muzeut Etnografik të Elbasanit, duke bërë të mundur edhe sistemimin dhe ekspozimin e saj si pjesë integrale e rëndësishme e bazilikës. Shpresohet gjithashtu që një aksion i shumëpritur për largimin e Rrapit të Bezistanit do të mund t’i jepte frymëmarrjen e plotë punës arkeologjike në monument duke bërë të mundur në këtë mënyrë çuarjen drejt përfundimit të punimeve në të.