Articles

Historiku

Kërkimet shkencore në Shqipëri, përfshirë edhe ato në fushën e arkeologjisë, nisin pas krijimit të shtetit të pavarur shqiptar që u realizua një shekull më parë (1912). Edhe pas kësaj u desh kohë që të formoheshin disiplinat shkencore shqiptare të cilat fillojnë veprimtarinë kryesisht pas Luftës së II Botërore. Disa hapa që u hodhën në fillim të shekullit të kaluar në gjurmimet arkeologjike, në ngritjen e koleksioneve arkeologjike private (Shkodër, Vlorë) si dhe muzeve të parë publik arkeologjikë në Tiranë (1922) e Vlorë (1936), shpejt u zhbënë para ose gjatë Luftës së II. Arkeologjia shqiptare lindi pas kësaj lufte duke kaluar në disa faza deri sa mori formë si disiplinë më vete.

Zanafilla e saj në aspektin institucional nis në vjeshtën e vitit 1948 kur krijohet Grupi arkeologjik dhe Muzeu Arkeologjik Etnografik në përbërje të Institutit të Shkencave në Tiranë. Grupi i arkeologëve në vitet më pas do të shtrinte veprimtarinë gjurmuese e kërkimore arkeologjike në gjithë Shqipërinë, duke kaluar gradualisht në forma organizimi më të mëdha siç ishin Sektori i Arkeologjisë në Institutin e Historisë (1964), Qendra e Kërkimeve arkeologjike (1976) në Akademinë e Shkencave e cila u shndërrua në Institutin e Arkeologjisë (1991) dhe nga viti 2008 ky Institut vepron si pjesë e Qendrës së Studimeve Albanologjike. Gjatë kësaj periudhe arkeologjia shqiptare realizoi jo vetëm zbulime të mëdha të kulturës materiale e shpirtërore të qytetërimeve të shkuara (vendbanime, qytete, monumente e objekte) nëpërmjet qindra ekspeditave kërkimore në terren, por forcoi njëkohësisht edhe fizionominë e saj si shkencë. Frute të kësaj veprimtarie janë koleksionet arkeologjike prej dhjetëra mijë objekte të fondit të përhershëm, disa herë më shumë objekte të fondit studimor, pesë muzetë arkeologjik (Tiranë, Durrës, Apoloni, Butrint e Korçë), pavijoni arkeologjik në Muzeun Historik Kombëtar dhe shumë të tilla në muzetë e rretheve në të gjithë Shqipërinë. Këto arritje janë pasqyruar gjithashtu në qindra artikuj studimor të botuar brenda e jashtë vendit, në revistën periodike Iliria si dhe në shumë botime monografike.

Në vitet pas kremtimit të 50 vjetorit të saj (1998), arkeologjia shqiptare pësoi transformime domethënëse në formë dhe përmbajtje të filluara disa vite më parë. Ndryshimet e mëdha demokratike dhe përpjekjet e Shqipërisë për tu afruar e integruar me vendet e tjera evropiane në fillim të viteve 90, krijuan kushte të reja për zhvillimin e kërkimit shkencor sipas modeleve perëndimore duke dalë kështu nga mbyllja e gjatë prej rreth pesë dekada. Kërkimi i deriatëhershëm i mbështetur vetëm në burimet e mjetet e brendshme duke mos shfrytëzuar sa e si duhet përparimet e shkencës dhe teknikës evropiane e botërore, po bëhej gjithnjë e më frenues për zhvillimin e arkeologjisë shqiptare. Organizimi i projekteve të para të bashkëpunimit si formë më rezultative për kërkimet arkeologjike të aplikuara në Apoloni e Sovjan të Korçës me arkeologë nga Franca dhe në Butrint me arkeologë nga Anglia e Greqia pas viteve 90' si dhe eksperienca e fituar nga këto bashkëpunime, treguan jo vetëm mundësitë e reja për kërkime në të gjitha fushat me mjete e metoda bashkëkohore, por krijoi edhe hapësira për kualifikimin e specialistëve të rinj të arkeologjisë. Këto zhvillime ndodhën në periudhën kur Shqipëria kalonte vështirësi të mëdha, në kushtet e transformimit politik, ekonomik dhe shoqëror. Megjithatë Instituti i Arkeologjisë u përfshi hap pas hapi në një veprimtari të gjerë kërkimore duke organizuar projekte bashkëpunimi me universitete e institucione simotra të vendeve perëndimore. Projektet shumëvjeçare të gërmimeve bashkuan përvojat e arkeologëve shqiptarë me ato të arkeologëve dhe specialistëve nga vende si Anglia, Franca, SHBA, Italia, Greqia, Austria, Gjermania, Zvicra, Izraeli e Polonia në kërkimet për të gjitha fushat e arkeologjisë si për prehistorinë, antikitetin dhe mesjetën. Në bashkëpunimet brenda vendit Instituti i Arkeologjisë ka realizuar me Qendrën Ndërkombëtare për Arkeologjinë Shqiptare projektet për Via Egnatia, Tumën e Kamenicës, Tumat e Apolonisë, Horën e Durrësit etj.

Të gjitha këto veprimtari shtuan ndjeshëm zbulimet e reja duke aplikuar metodologji, teknika e mjete bashkëkohore, duke angazhuar një numër gjithnjë e më të madh studentësh të cilët kontribuan më pas në përgatitjen e arkeologëve të rinj. Shumë prej tyre tashmë kanë përfunduar studimet doktorale dhe janë bërë pjesë e rëndësishme në kërkimin dhe administrimin e vlerave arkeologjike. Duke hedhur një vështrim mbi periudhën 15 vjeçare që kemi lënë pas, tërheq vëmendjen numri i konsiderueshëm i projekteve kërkimorë (41) në gjithë Shqipërinë prej të cilëve 12 në fushën e prehistorisë, 17 në fushën e antikitetit dhe 12 në antikitetin e vonë dhe mesjetë, pa përfshirë në to shumë projekte të natyrës studimore. Një pjesë e rezultateve të tyre janë prezantuar në botime e punime të thelluara, ndërsa të tjera vazhdojnë studimet ose përgatitjet për botim.

Në fushën e prehistorisë, kërkimet në terren kanë synuar shtrirjen e tyre edhe për periudha të pa studiuara më parë ose të studiuara pak, siç ishin ato për epokën e gurit (Paleolitin e Mezolitin) të cilat zbuluan një numër të madh sitesh me gjetje mjaft interesante që kanë ndryshuar hartën arkeologjike për prehistorinë e thellë të Shqipërisë duke krijuar kushte për fillimin e gërmimeve në disa prej siteve. Për periudhat e tjera të prehistorisë nga Neoliti në Hekur, kujdes është treguar për thellimin e kërkimeve dhe zgjerimin e të dhënave duke u mbështetur në aplikimin e shkencave ndihmëse si gjeoarkeologjinë, arkeozoologjinë, arkeobotanikën, palinologjinë, paleontologjinë etj.

Në fushën e antikitetit gërmimet kanë përfshirë shumicën e qyteteve antike si Scodra, Lissos, Dimal, Bylis, Antigone, Foinike, Hadrianopol etj., krahas kolonive në bregdetin Adriatik, si Durrësi, Apolonia dhe Oriku. Tematika e kërkimeve në këto qendra është orientuar në problemet e urbanistikës, komplekset arkitekturore që lidhen me qendrën e qytetit antik, (teatro, portikë ) tempujt, varrezat etj. Ekspeditat shumëvjeçare kanë zbuluar me dhjetëra monumente të reja dhe një material arkeologjik të shumëllojshëm për ndriçimin më të mirë të historisë së tyre. Studimet epigrafie dhe numizmatike kanë pasuruar gjithashtu të dhënat historike duke kontribuar ndjeshëm për studimin e jetës ekonomike, politike e administrative të qytetit në Iliri. Prej disa vitesh kanë filluar po ashtu kërkimet në bregdetin tonë dhe në ujërat e brendshme, për krijimin e “Hartës së Trashëgimisë Kulturore Nënujore të Shqipërisë”.

Në fushën e Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës kërkimi arkeologjik ka pasur për objekt jo vetëm qendrat kryesore mesjetare, por ka vepruar në një territor të gjerë për studimin e jetës së qyteteve, aspektet urbane, monumentet kryesore, fortifikimet, objektet e kultit dhe varrezat. Kontribut i rëndësishëm në mënyrë të veçantë është shënuar në gjurmimin e monumenteve të kultit kristian duke eksploruar brenda e jashtë qendrave qytetare, në zonat rurale si dhe në shkallë rajonale, duke thelluar njohjen për periudhat e ngritjes, funksionimit dhe braktisjen e tyre. Përpunimi i të dhënave të grumbulluara nëpërmjet gërmimeve apo gjurmimeve në këto monumente dhe hartimi i një dokumentacioni të plotë grafik e fotografik marrin rëndësi për ruajtjen e gjithë kësaj trashëgimie edhe në të ardhmen.

Botimi i Albumit “Zbulime të reja Arkeologjike në Shqipëri” bën të njohura të rejat e përftuara nga gërmimet më të rëndësishme arkeologjike të kryera nga Instituti Arkeologjik dhe nga bashkëpunimet gjatë 15 viteve të fundit. Ai prezanton rezultatet e projekteve kërkimore nëpërmjet gërmimeve, disa prej të cilëve kanë vazhduar përgjatë gjithë kësaj periudhe kohore (Butrint, Apoloni, Foinike, Sovjan). Çdo sit apo qendër antike, shoqërohet me një informacion të historisë së kërkimeve dhe në mënyrë të veçantë jep historinë e fillimit të jetës, ngritjes e rënies së tyre. Për qendrat qytetare që funksionuan si të tilla jo vetëm në antikitet, të dhënat nga kërkimet më të fundit janë prezantuar të grupuara sipas fushave që u përkasin. Albumi jep informacione të përmbledhura të cilat shoqërohen me dokumentacion të zgjedhur grafik e fotografik për sitet e monumentet dhe bashkë me to jepen disa nga objektet më të rëndësishme të zbuluara nga gërmimet. Ai pasqyron në mënyrë të koncentruar punën voluminoze kërkimore të realizuar në terren e kabinet, mjetet e metodat e përdorura, përmbajtjen e zbulimeve të reja për pasurimin e historisë dhe kulturës së lashtë që trashëgojmë të cilat motivojnë arkeologët në kërkimet e ardhshme.

Kërkimet në fushën e prehistorisë

Kërkimet prehistorike gjatë 15 viteve të fundit kanë shënuar rezultate të reja që përfshijnë të gjitha periudhat e prehistorisë. Zgjerimi i tematikës përbën tiparin kryesor të kërkimit për projektet që lidhen me epokat e gurit (Paleolit, Mezolit e Neolit), por shtrihet gjithashtu edhe në projektet për epokat e metaleve (Bronz e Hekur).

Në pikëpamje të formave të eksplorimit të aplikuara në terren, vend të rëndësishëm kanë zenë kërkimet sipërfaqësore (sërvei) si dhe gërmimet. Kërkimet sërvei u bënë nga format më të përshtatshme për njohjen e gjetjeve paleolitike e mezolitike në territore të gjera. Vrojtimet rajonale dhe lokale për përdorimin e territoreve në prehistori nga kërkimet sipërfaqësore në Shqipërinë Perëndimore dhe Juglindore kanë shtuar shumë vendgjetjet të cilat kanë pasuruar mjaft hartën arkeologjike veçanërisht për prehistorinë e thellë. Zbulimi i një numri të madh vendgjetjesh të epokës së gurit, kanë bërë të mundur grumbullimin e mjaft koleksioneve litike, të cilat ndihmojnë në studimin e ndryshimeve që shfaqen në përgatitjen e veglave të punës gjatë periudhave të kësaj epoke dhe evolucionin e qenieve njerëzore drejt njeriut modern. Shqipëria nga të dhënat e grumbulluara tregon për një përdorim të gjerë të territoreve të saj në periudhat e Paleolitit dhe Mezolitit. (Harta) Kërkimet për epokën e Bronzit dhe Hekurit lidhen më shumë me gërmime në vendbanime dhe varreza tumulare. Në ndryshim nga kërkimet e mëparshme, vëmendja është përqendruar në zgjerimin e të dhënave duke u mbështetur dhe aplikuar shkencat ndihmëse si gjeoarkeologjinë, arkeozoologjinë, arkeobotanikën, palinologjinë, paleontologjinë, analizat laboratorike etj. Kërkimet në Vashtëmi, Kallamas, Bisht Pallë për neolitin dhe në Sovjan, Kamenicë, Lofkënd e Apoloni për periudhat e bronzit dhe hekurit që prezantohen në këtë album, kanë sjellë të reja jo vetëm në aspektin kronologjik por, edhe për studimin e jetës së përditshme ekonomike e sociale të këtyre shoqërive.

Periudha pesëmbëdhjetëvjeçare e kërkimeve në fushë të prehistorisë ka kontribuar si për zbulimin e siteve të reja në zona më pak të eksploruara e studiuara, ashtu edhe për aplikimin e mjeteve e metodave moderne të kërkimit të cilat kanë thelluar më tej njohjen. Evidentimi i shumë pikave që vlerësohen si vendburimeve të strallit në Shqipërinë perëndimore e jugperëndimore që janë shfrytëzuar për nxjerrjen e lëndës së parë për përgatitjen e veglave, po flet në favor të hipotezës se vendburimet e strallit të territorit të Shqipërisë janë përdorur për punimin e veglave edhe nga territoret e tjera, nisur nga ngjashmëria e gjetjeve litike në disa site të Ballkanit me ato të Shqipërisë. Pasuria e lëndës së parë për veglat e punës, kushtet natyrore të përshtatshme (klima më e butë krahasuar me pjesën tjetër qendrore e veriore të Ballkanit, pasuria e burimeve ujore si dhe shumëllojshmëria e florës dhe faunës) dhe pozicioni gjeografik që zë Shqipëria në territorin e Evropës Juglindore (nga mendohet se u përhap nga Afrika njeriu modern), po rrit interesin brenda e jashtë Shqipërisë për kërkime e studime në këtë fushë. Si rezultat, kanë filluar nga aktiviteti projektet e bashkëpunimit të Institutit të Arkeologjisë në Tiranë me Institutin e Prehistorisë të Universitetit të Këlnit në Gjermani, me Universitetin e Southamphton të Anglisë dhe të Ferrarës në Itali për Paleolitin dhe Mezolitin. Kërkimet për periudhën e fundit të epokës së gurit, Neolitit, kanë për objekt studimin e procesit të neolitizimit të territoreve të Shqipërisë. Nisur nga vendosja gjeografike e saj në mes të territoreve nga kanë kaluar grupet e banorëve që njihnin bujqësinë (grupi neolitik nga juglindja me qeramikë monokrome e të pikturuar si dhe grupi neolitik me qeramikë impreso adriatikase) të cilët neolitizuan Evropën Juglindore në fillim e më pas gjithë Evropën, kërkimet për fillimet e neolitit në Shqipëri kanë për qëllim të kontribuojnë jo vetëm për rolin e dy komponentëve kulturorë neolitik në procesin e neolitizimit në tërësi, por edhe për kryerjen e datimeve absolute dhe renditjen kronologjike të Neolitit të Hershëm në Shqipëri. Për realizimin e këtyre synimeve, procesi i kërkimit është mbështetur në gërmimin e vendbanimeve kryesore të neolitit të hershëm duke aplikuar mjetet e metodat më të fundit.

Kërkimet për NH në Vashtëmi në bashkëpunim me Universitetin e Cincinatit në SHBA kanë dhënë datime të reja më të hershme që dëshmojnë për neolitizimin e territoreve të Shqipërisë Juglindore në një kohë me ato të Thesalisë në Greqi, gjë që ka diktuar ndryshime në renditjen kronologjike të vendbanimeve NH në Shqipëri. Me rëndësi janë edhe të dhënat gjeoambientale, të florës e faunës për të rindërtuar një tablo të ngjashme me jetën ekonomike e sociale të banorëve të hershëm neolitik. Sovjani ka dhënë serinë më të gjatë të datimeve absolute që zgjat për 6.000 vjet nga fillimi i Neolitit deri në periudhën e parë të hekurit, kohë kur vendbanimi u mbulua nga ujërat e liqenit të Maliqit dhe u braktis. Për fillimin e Neolitit janë kapur gjurmë në shtresën 13, e cila nuk dha qeramikë por disa copa dyshemeje datuar 7000 vjet para K. Pra vendbanimi i parë lakustër ka qenë ngritur që në mijëvjeçarin e VII. Po kështu Sovjani ka dhënë datime më të hershme edhe për Bronzin e hershëm nga sa njihej më parë.

Të dhëna me interes për kronologjia absolute të arkeologjisë shqiptare nga datimet me radiokarbon kanë dhënë gërmimet në tumat e Apolonisë dhe në Lofkënd, ku kampionet e analizuara deri tani shtrihen në një hapësirë kohore nga epoka e bronzit të hershëm në epokën e hekurit të hershëm të cilat vazhdojnë edhe në periudhat e mëvonshme. Këto rezultate, bashkë me kërkimet e ardhshme do të krijojnë një tablo më të plotë për kronologjinë absolute të prehistorisë së Shqipërisë. Në përgjithësi të dhënat e deri sotme diktojnë vendosjen më herët në kohë e të gjitha periudhave prehistorike.

Me interes të veçantë për kërkimet e studimet prehistorike kanë qenë botimet monografike të pesë viteve të fundit nga autorët F.Prendi, M. Korkuti, S. Aliu, A. Bunguri, M.G. Amore , P. Lera, I. Gjipali, A. Koka dhe M. Bela duke futur në qarkullim shkencor edhe kontributet më të reja në këtë fushë.

Departamenti i prehistorisë edhe në vitet e ardhshme ndonëse me numër të kufizuar specialistësh është i orientuar ti vazhdojë kërkimet e filluara për epokat e gurit duke bashkëpunuar me stafe të mirënjohura të Evropës dhe SHBA, por njëkohësisht vëmendje do të tregohet edhe për kërkimet për epokën e Bronzit dhe Hekurit.

KËRKIMET ARKEOLOGJIKE NË FUSHËN E ANTIKITETIT

Departamenti i Antikitetit me projektet e shumta kërkimore në terren e studimor në laborator, përfshirë edhe arkeologjinë nënujore, është sot ndër departamentet më aktiv në veprimtarinë e Institutit të Arkeologjisë. Kjo veprimtari është e shtrirë në më se 17 projekte me tematika të ndryshme, në një hark kohor që nis me themelimin e ngulimeve të para koloniale në brigjet lindore të Adriatikut si Apolonia dhe Epidamn-Dyrrhachioni rreth shek. të VII-të p.e.sonë, deri në fillimin e shek. të IV të e. sonë, që shënon fillimin e periudhës së antikitetit të vonë.

Arritjet e veprimtarisë kërkimore të Departamentit të Antikitetit gjatë 15 viteve të fundit janë të rëndësishme përsa u takon prurjeve të reja që kanë të bëjnë me origjinën, krijimin dhe transformimet e qendrave të banuara si në aspekte të urbanistikës, ashtu edhe të jetës social-kulturore të tyre. Vlejnë të përmenden për rezultate të tilla bashkëpunimet e ndërmarra prej vitesh në disa qendra të rëndësishme antike në Shqipëri si në Apoloni me Universitetin « Pierre Mendes-France » Grenoble 2 dhe aktualisht me atë Lyon 2 Lumiére, me mbështetjen e përbashkët të dy shkollave arkeologjike franceze të Athinës dhe Romës dhe po kështu me Institutin Arkeogjik Gjerman të Romës; në qytetin e Epidamn-Dyrrhachionit antik me Universitetin e Parmës; në Lissos me Institutin Arkeologjik Gjerman të Berlinit; në Phoinike dhe rrethinat e saj me Universitetin e Bolonjës; në Hadrianopol me Universitetin e Maçeratës; në Orikos me Universitetin e Gjenevës ndërsa në Butrint (Forumin romak) prej vitesh vazhdon bashkëpunimi me Fondacionin Butrinti.

Aspekt i rëndësishëm i veprimtarisë kërkimore-shkencore të Departamentit të Antikitetit është shtrirja e projekteve kërkimore dhe në qendra qytetare antike në brendësi të territorit, që kanë luajtur rol të rëndësishëm në formimin e jetës qytetare dhe shtetit ilir në periudhën para romake, por edhe vendin dhe rolin që luajtën ato në periudhën e sundimit të perandorisë romake. Të tilla janë bashkëpunimet me Universitetin e Këlnit në Dimal dhe kërkimet e fundit në qytetit e Shkodrës në bashkëpunim me Universitetin e Varshavës. Paralelisht me këto projekte të reja që hedhin dritë mbi zhvillimin e qendrave qytetare të prapatokës, një tjetër veprimtari e departamentit të Antikitetit është edhe gjurmimi në territorin e Via Egnatias (dega kryesore dhe ajo jugore) për evidentimin e traseve, urave, stacioneve dhe qendrave të banuara si dhe për ndriçimin më të mirë të problematikës që lidhet me « urbanizimin » e zonave nëpër të cilat kalonte kjo rrugë e rëndësishme. Një projekt i rëndësishëm studimor i Departamentit të Antikitetit është dhe ai që kryhet me Univesitetin Charles-De-Gaulle – Lille 3 dhe Shkollën franceze të Athinës për studimin e tërësisë së gjetjeve nga një depozitë votive e zbuluar në Kodrën e Dautës në Epidamn-Dyrrhachionin antik. Ky projekt i ka dhënë qytetit greko-romak Artemisionin e tij dhe ka hedhur dritë mbi aspekte të rëndësishme të jetës ekonomike, shoqërore, të praktikave votive dhe të shtrirjes së qytetit në antikitet.

Një drejtim të ri të veprimtarisë së Departamentit të Antikitetit përbën problematika që trajtohet nga projektet e arkeologjisë nënujore në bashkëpunime me Fondacionin Detar RPM në Key West, Florida, ShBA dhe Universitetin e Figgias, veprimtari kjo shumë pak e rrahur deri më tani nga kërkimet arkeologjike shqiptare. Veçanërisht gjatë 10-vjeçarit të fundit, këto projekte me kërkimet sistematike po kontribuojnë për krijimin e hartës arkeologjike nënujore të bregdetit të Shqipërisë.

Gjatë kësaj periudhe të kërkimeve arkeologjike në qytetet antike janë shënuar dhe një varg veprimtarish e botimesh shkencore – artikuj dhe punime monografike, brenda dhe jashtë vendit të cilat përbëjnë një kontribut tjetër të Departamentit të Antikitetit. Në këto veprimtari do të veçonim Kongresin e 25-të Ndërkombëtar të Qeramikës, Rei Cretariae Romanae Fautores: The Pottery of Via Egnatia. Cultural exchanges between east and west, që u zhvillua në Durrës në 2006. Përsa i përket botimeve veçojmë: Korpusi i mbishkrimeve të Butrintit dhe Korpusi i mbishkrimeve të tjera nga territori i Shqipërisë (P. Cabanes dhe F. Drini), Atlasi i Apolonisë (nën kujdesin e V. Dimo, F. Quantin, Ph. Lenhardt), Korpusi i mbishkrimeve latine të Shqipërisë (S. Anamali, H. Ceka, E. Deniaux), seria Phoinike I-V (nën kujdesin e S. De Maria, Sh. Gjongecaj), Dyrhachium I (nën kujdesin e S. Santoro, A. Hoti), Hadrianopolis II (R. Perna, Dh. Condi), Amfora transporti të shek. III-I p.e. sonë (B. Lahi) etj, kontributet e rregullta të anëtarëve të Departamentit në simpoziumet e Ilirisë së Jugut dhe Epirit IV (2002) dhe V (2008), krahas shumë artikujve në revista të mirënjohura vendase dhe të huaja.

Periudha e antikitetit të vonë dhe e mesjetës ne kërkimet dhe studimet arkeologjike

Kërkimet dhe studimet arkeologjike kanë patur në fokusin e tyre si një ndër fushat themelore periudhën e antikitetit të vonë dhe të mesjetës. Zgjerimi i kërkimeve dhe studimeve për qytetet e periudhës së shekujve IV-VI në Shqipëri; thellimi i studimeve në qendrat paleokristiane dhe mesjetare; përgatitja e kërkimeve dhe studimeve për qytetin mesjetar shqiptar, do të përbënin disa nga orientimet kryesore të aktivitetit shkencor të kësaj periudhe.

Në fillimet e mijëvjecarit të ri hulumtimet u përqendruan në zbulimin e qendrave të reja, qyteteve dhe qytezave, objekteve të kultit, nekropoleve etj., të cilat kanë krijuar një tablo pothuajse të re të sfondit historik të kësaj periudhe.

Shqipëria numëron 20 qytete të periudhës së Antikitetit të Vonë, që gjenden të shpërndara nga veriu në jug. Kërkimet e viteve të fundit mbi kete tematike, jo vetem kanë afirmuar arritjet e kërkimeve shkencore te meparshme por ato po ndihmojnë në sqarimin e çeshtjeve të origjinës, transformimit, urbanizimit dhe administrimit të qytetit të shekujve IV-VI në Ilyricum. Kjo ka krijuar një panorame të re mbi vlerat historike që përmbajnë keto qytete në shekujt IV-VI dhe vendin e tyre në ngjarjet historike të kohës. Njekohesisht përbën një hap me rëndesi për njohjen e urbanizimit, jetës ekonomiko-sociale dhe statusin administrativ të tyre. Kërkimi shkencor do të thellohet kryesisht në aspektet mbi transformimin e qytetit, të cilat zënë fill nga periudha e fundit të perandorisë romake shekulli IV mbas Krishtit, e deri në të kapëcyell të shekullit VI, për fazën e fundit të tij drejt qytetit arbëror.

Po ashtu, kërkimet u shtrine në monumentet të kultit të krishterë duke synuar thellimin ne studimit e monumenteve kryesorë, rrënojat e të cilëve gjendeshin kryesisht jashtë qendrave urbane të periudhës së antikitetit të vonë dhe asaj mesjetare. Ndër t’o u përzgjodhën qendra të rëndësishme pelegrinazhi si monumenti i 40 Shenjtorëve dhe kisha në kepin e Linit, bazilika paleokristiane në Elbasan dhe Lezhë; manastire si Shën Mëri, Ballsh; Shën Mëri, Apoloni; Shën Koll, Mesopotam; kishat mesjetare Shën Jani, Shijan; kisha e Peshkëpisë, Nivicë-Bubar.

Një drejtim tjetër me shumë rëndësi lidhet me thellimin e kërkimeve të mëparshme në Lezhë dhe Koman. Objektivi kryesor është percaktimi i mekanizmave të transformimit te shoqerise së Ballkanit perëndimor, nga fundi i Antikitetit në Mesjetë, duke synuar njohjen e organizimit të vendbanimeve mesjetare si dhe dinamikën dhe historine e popullsisë. Sqarimi i problematikës që fortifikimet e kësaj periudhe kanë paraqitur gjatë historisë së kërkimit arkeologjik të kryer sollën si domosdoshmëri rritjen e intensitetit të gërmimeve në fortifikimet si në Grazhdan (Dibër), Elbasan, Durrës etj. Rezultatet e arritura janë me të vertete inkurajuese duke sqaruar zhvillimin historik të tyre.

Dinamika e shtrirja e hulumtimeve arkeologjike në periudhën e vonë antike dhe mesjetare u rrit dukshëm falë dhe bashëpunimeve me universitet të njohura Evropiane. Qendra të rëndësishme si Butrinti, Bylisi, Lezha, Durrësi, Komani etj., po gërmohen dhe studiohen nga ekipe të përshkëta, respektivisht nga Britania e Madhe, Franca, Italia, Gjermania, etj. Kjo ka sjellë që të zhvillohen gërmime arkeologjike intensive, shoqëruar nga studime multidisplinore. Në Butrint gjatë këtyre viteve janë bërë kërkime dhe studime në një sërë monumentesh të periudhës paleobizantine, si në Baptister, Trikonkë, Bazilikën e Madhe, muret rrethues. Po ashtu nuk janë lënë jashtë vëmendjes hulumtimet në zonë perreth Butrinit si në Vrinë, në kompleksin e vilave romake dhe manastirin paleokristian në Diaporit etj., duke zgjeruar kështu jo vetëm njohjen e një territori sa më të gjërë të kësaj qendre, por dhe thellimit studimor të tyre. Një qendër tjetër shumë e rëndësishme e kësaj periudhe është qyteti bizantin i Bylisit. Gërmimet arkeologjike shqiptaro-francezë u përqendruan në zbulimin e plotë të katedrales, në zgjerimin e punimeve në kompleksin e madh peshkopal, si dhe në monumente të tjera të kësaj periudhe. Gërmimet e kryera e bëjnë Bylisin një nga qendrat më të rëndësishme në territorin e Shqipërisë për sa i përket pasurisë së monumenteve paleokristiane.

Një drejtim tjetër i aktivitetit kërkimor gjatë viteve 2000-2006, ka qenë përpilimi i Hartës Arkeologjike të Kosovës. Po ashtu janë realizuar studime me rëndësi mbi gjendjen e fortifikimeve të shek IV-VI në rrugët strategjike që lidhnin bregdetin Adriatik me Ballkanin Qendrorë; Kërkime arkeologjike në territorin e ku u ngjiz dhe u krijua formacioni i parë shtetëror i “Principatës së Arbrit” etj. Gjatë kësaj periudhe kërkimet dhe studimet mesjetare janë pasqyruar në disa botime monografike me tematikë nga hulumtimet e reja nga autorët L.Përzhita, G. Hoxha, K. Lako, R. Hodges, W. Bowden etj.,

Në përspektivën e tyre hulumtimet dhe studimet e periudhës së vonë antike dhe mesjetare do të ruajnë tradicionalisht ecurinë e tyre 65 vjecare. Gjithsesi një interes më të madh do të kenë studimet për shekujt XII-XIV dhe XV-XVII.